Komandanti i zjarrfikësve tregon se çka u djeg brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi ka treguar për KALLXO.com se çka kanë gjetur duke u djegur kur ekipi i zjarrfikësve ka shkuar në vendin e ngjarjes tek Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Informata është marrë në ora 20:44 për zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ishin duke u djegur disa tuba të letrave në 3 rafte dhe ishte krijuar tym i dendur. Është bërë shuarja e zjarrit dhe është bërë ventilimi i tymit nga ajo hapësirë” – tha për KALLXO.com, komandanti i zjarrfikësve, Malë Gashi.
Sipas tij, për shkaktarët e zjarrit, duhet pritur hetimet.
“Për hetime të mëtutjeshme për shkaktarët e zjarrit, merren Inspektoret, për hulumtimin e shkaqeve të zjarrit” – tha shkurtimisht Gashi për KALLXO.com.
Para pak orësh ka shpërthyer një zjarr në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ende nuk është konfirmuar se cilat kanë qenë shkaktarët e zjarrit.
Në vend të ngjarjes kanë qenë të pranishëm ekipet e Zjarrfikësve dhe Policisë së Kosovës.
Njoftimin për zjarrin në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka bërë Ministria e Drejtësisë.