Video-incizohet dhunimi i një vajze të mitur në Suharekë, Policia jep detaje

Gjatë ditës së djeshme, në raportin policor është raportuar për një rast të dhunimit në Suharekë, në nëntor të vitit të kaluar.

Në raportin policor u pohua se një e mitur, femër kosovare, ishte dhunuar, teksa një i dyshuar kishte pranuar gjatë intervistimit se ka kryer veprën.

Indeksonline ka kontaktuar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, e cila ka nëndegë Stacionin Policor të Suharekës, për të marrë më shumë detaje për rastin.

Nga DRP Prizreni konfirmuan se me datën 20.03.2023, Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren, ka marrë informacion rreth një video-incizimi, ku shihen dy persona duke kryer marrëdhënie intime. Në video-incizim shihej se njeri nga ta është i mitur (mashkull, 15 vjeç).

“Pas një pune të suksesshme operativo-hetimore, kanë arritur që të identifikohen personat në atë video-incizim. I dyshuari madhor është intervistuar në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtar. Ai pranon se ishte në atë video incizim duke kryer marrëdhënie intime” thuhet në përgjigjen e DRP Prizreni për Indeksonline.

Gjithashtu është bërë e ditur se është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar hapjen e hetimeve për veprën penale “Dhunim”.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, teksa rasti është akoma duke u hetuar.

Lexo edhe:  Kosovari dënohet me 13 vjet burgim për djegien e një ndërtese në Zvicër