Zbulohen disa raste të armëmbajtjes pa leje, shoqërohet në Polici edhe një ish pjesëtar i UÇK-së
Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Sinjali mëson se vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë zbuluar disa raste, ku të dyshuarit janë nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Mbrëmë në fshatin Dubravë të Kaçanikut gjatë intervistimit të një vajze në stacion policor, është gjetur një fotografi e babait të saj me armë zjarri. Si rrjedhojë, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë shkuar në shtëpinë e 45-vjeçarit, i cili në mënyrë vullnetare ka dorëzuar armën e llojit kallashnikov bashkë me fishekët, për të cilët ka deklaruar se i ka që nga lufta, pasi ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Në prangat e Policisë për armëmbajtje pa leje ka rënë dje edhe një person në Zubin Potok. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë gjuetie me mbi 200 fishekë, pistoleta, karikatorë e pushka ajrore. Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit, 61-vjeçari është dërguar në mbajtje.
Me armë ilegale në shumë raste kapen edhe personat e mitur. E kështu ndodhi mbrëmë në fshatin Sllapuzhan të Suharekës. Policia ka gjetur një 17-vjeçar në një stallë të kafshëve bashkë me shokët e tij dhe atje kanë gjetur një armë zjarri me karikator dhe fishekë. Të gjithë të rinjtë janë shoqëruar në stacion, ku shokët e të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve të rastit.
Ndërkohë në rrugën ‘Sulemjan Hadum Aga’ në Gjakovë, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e një personi, i cili po ashtu është i mitur dhe dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Atje kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe i mituri është shoqëruar në stacion dhe janë sekuestruar edhe arma bashkë me karikatorin. Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari, i cili ka pranuar se ka kryer veprat për të cilat dyshohet, është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për armëmbajtje pa leje dhe ‘Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Në Polici ka përfunduar edhe një i ri në Prishtinë. Ai u ndal nga një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Ukshin Hoti’ dhe gjatë kontrollit atij i është gjetur një armë zjarri me karikator dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar. I dyshuari është intervistuar në stacion policor dhe i njëjti do të hetohet në liri.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj të dyshuarve veç e veç të iniciohet rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“