Policia ndjek të riun në Vushtrri, posa kapet i gjejnë 12 qese me drogë
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.
Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar së fundi në rrugën ‘Marin Barleti’ në Vushtrri, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë kanë zbuluar një person i cili ka tentuar që të ikë posa ka vërejtur policët.
Sinjali mëson se gjatë arratisjes, 27-vjeçari është ndjekur nga Policia dhe i njëjti është arritur që të kapet.
Gjatë kontrollit trupor, të dyshuarit i janë gjetur 12 qese me substancë të dyshuar narkotike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I riu është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj 27-vjeçarit të nisin hetimet nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.