Nxënësi hedh gaz lotsjellës në shkollën e fshatit Kçiq i Madh në Mitrovicë, intervenon Policia

Gjatë ditës së djeshme, në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Bislim Imeri’ në fshatin Kçiq i Madh i Mitrovicës, ka ndodhur një incident ku është përfshirë një nxënës i klasës së nëntë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i mituri ka hedhur gaz lotsjellës brenda hapësirave të shkollës, gjë që ka shtyrë stafin që të denoncojnë rastin në Polici.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar sprejin dhe kanë shoqëruar në stacion për intervistim të dyshuarin. Po ashtu, në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve edhe dy punonjës të shkollës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të miturit të iniciohet rasti ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Kujtojmë që kohët e fundit është shtuar numri i rasteve të nxënësve të cilët shkaktojnë telashe përmes përleshjeve e posedimit të armëve dhe mjeteve tjera të rrezikshme nëpër shkolla.

 

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Veternik, bëhen "kërrsh" 7 vetura