Vit: Arrestohet dilleri i drogës, Policia ia gjen rreth 20 paketime me marihuanë në ahurin e lopëve

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një aksion i tillë është zhvilluar edhe gjatë ditës së djeshme në qytetin e Vitisë, ku Polica ka arrestuar tre persona, dy prej të cilëve përfunduan në ndalim policor, pasi u kapën me drogë. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sh.Sh., 22-vjeçar dhe B.F., 25-vjeçar, të cilët janë arrestuar nën dyshimin për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Sinjali mëson se fillimisht njëri prej të dyshuarve, B.F., është arrestuar në qytetin e Vitisë, pasi Policia e kapi në flagrancë me drogë në xhep, ku iu gjet një sasi e substancës së dyshuar, të llojit marihuanë. Pasi i riu u prangos, Policia zhvilloi edhe bastisje në shtëpinë e tij.

Sipas të njëjtave burime, në ahurin e bagëtive, Policia ka arritur të gjejë rreth 20 paketime me narkotikë, të llojit marihuanë, që ishin të gatshme për t’u shitur nga i dyshuari. Droga u sekuestrua, ndërsa Policia ka arrestuar edhe të dyshuarin tjetër.

Pas përfundimit të proceduarve policore, ndaj dy të rinjve është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge.”

 

Lexo edhe:  Nga 1 janari pa viza: Sa para duhet të keni me vete kur udhëtoni në Schengen?