Si u përfshi Mentor Beqiri në incidentin ku Policia përdori armët ndaj një veture në Veri
Në incidentin e 9 marsit 2023 ku Policia e Kosovës u detyrua që të përdorte edhe armët kundër një veture që nuk ndaloi, është përfshirë edhe biznesmeni kosovar, Mentor Beqiri që operon me biznes edhe në Serbi. Avokati i tij ka folur për Insajderin.
Mbrëmjen e 9 marsit të këtij viti Policia e Kosovës po patrullonte në fshatin Banjë në Veri të vendit. Një veturë nuk e kishte respektuar urdhrin policor, dhe zyrtari policor u detyrua të përdor armën e zjarrit për të mbrojtur jetën e tij dhe të kolegëve.
Automjeti, tip audi, kishte hyrë nga territori i Republikës së Serbisë në atë të Kosovës përmes rrugëve ilegale.
Sipas Policisë, automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, dhe një hetim kishte nisur menjëherë.
“Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Si u përfshi në këtë incident Mentor Beqiri?
Insajderi nga burime të veta mëson se derisa Policia po vazhdonte të hetonte këtë rast, dyshhet se biznesmeni Mentor Beqiri kishte përfunduar po në të njëjtin lokacion dhe dyshohet se e ka marrë në veturën e tij personin që po e drejtonte automjetin që po as kishte ikur nga kontrolli policor.
Insajderi ka folur me avokatin e Beqirit, Musa Damtin, i cili ka mohuar përfshirjen e klientit të tij në këtë rast.
“Nuk ka të bëjë asgjë me incidentin e krijuar”, ka thënë Damati për Insajderin, por ka konfirmuar që Mentor Beqiri megjithatë është ndaluar nga Policia.
“Pas bisedës që kam pasur me klientin tim mund të iu konfirmoj qe z. Beqiri duke hyre nga Republika e Serbisë, ku ka qenë për çështje biznesi, nga Novi Pazar, është ndaluar nga Policia e Kosovës. Si avokat i tij mund të iu them qe ai është shoqëruar në stacionin policor në Jug. Aty vetëm i kanë sqaruar natyrën e ndalimit, por as nuk është intervistuar aty”, ka thënë për Insajderin Musa Damati , avokat i biznesmenit Mentor Beqiri.
Ai i tha gazetës se tash klienti i tij është i lirë dhe për këtë rast ndaj tij deri tash nuk ka ndonjë procedurë.
Si ndodhi rasti ku Policia u detyrua që të gjuante në veturën që po vinte nga Serbia?
Sipas versionit ë ka dhënë Policia e Kosovës, më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur një automjet xhip i tipit audi.
Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave e kishin sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.
Automjeti i dyshuar me shpejtësi ishte larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore kishin nisur menjehërë një hetim duke ndërmarr veprime operative për identifikimin dhe arrestimin e personit ose personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
“Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në këtë komunikatë pa dhënë detaje se kush ishin personat që u dërguan për intervistim.