Vodhën traktorin në vlerë të 5 mijë eurove në një fshat të Podujevës, arrestohet njëri nga të dyshuarit
Pas rreth 2 muajsh në arrati, Policia ka arritur të identifikojë dy personat e dyshuar për vjedhjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Sfeçël të Podujevës. Të dyshuarit arritën të vjedhin një traktor në vlerë të rreth 5 mijë eurove dje u larguan pa lënë ndonjë gjurmë. Por pas hetimeve të kryera nga ana e Policisë, ata u zbuluan.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.V., i cili është arrestuar gjatë ditës së sotme dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, ndërkohë po vazhdojnë kërkimet për ta kapur të dyshuarin tjetër.
Personi që u arrestua dyshohet se e ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me një të afërm të tij, i cili akoma nuk është kapur dhe as nuk është dorëzuar në Polici, përkundër ftesës nga ana e hetuesve policorë.
Ndaj tyre, është iniciuar rasti për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë”.