Ky është hajni që grabiti katër herë marketin QTA në Mitrovicë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese.

Të dyshuarit jo gjithmonë kapen, pasi arrijnë të qëndrojnë në arrati. Një ndër ta është edhe Bujar Maliqi, i cili është kapur së fundmi në Mitrovicë, pasi dyshohet për së paku katër grabitje. Sinjali raportoi dje për arrestimin e tij, pas veprimeve hetimore nga ana e Policisë.

Pasi përfundoi në prangat e Policisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.

Seanca është mbajtur gjatë ditës së djeshme, me ç’rast Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, thonë burimet e Sinjalit.

Maliqi është identifikuar pasi Policia kishte nisur hetimet për një rast të grabitjes, që ndodhi muajin e kaluar në marketin QTA në Mitrovicë. 40-vjeçari po dyshohet për së paku katër grabitje që kanë ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në janar, si dhe në muajin shkurt.

Lexo edhe:  Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë nesër ndërprerje të rrymës