Mërgimtares nga Gjermania ia vjedhin veshjet kombëtare dhe arin e 25 mijë eurove nga bagazhi
Jo rrallëherë mërgimtarët kanë qenë cak i hajnave në Kosovë. Atyre shpesh iu janë vjedhur para në vlera të majme e gjësende me rëndësi, deri te dokumentet.
Një rast i tillë i ka ndodhur edhe një gruaje që mori rrugën nga Stuttgarti i Gjermanisë për në Kosovë. Ajo arriti në Aeroportin e Prishtinës në orët e pasdites dhe tek kur shkoi në shtëpi e kuptoi që dikush e bëri ‘qyl’.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet për këtë rast pas denoncimit të viktimës, e cila e ka njoftuar Policinë së i janë vjedhur veshjet kombëtare dhe stoli të arit rreth 25 mijë euro.
Ajo është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ka dhënë detaje se si nuk i gjeti veshjet e të hollat në bagazh pasi arriti në shtëpinë e saj në një fshat të Klinës.
Lidhur me rastin, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për veprën “vjedhje e rëndë”.