Grabitje e armatosur në pompën ‘IP Petrol’ në Drenas, hajni i maskuar ia merr qindra euro punëtorit dhe zhduket

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën në pompën e derivateve “IP Petrol” në rrugën Korroticë e Epërme në Drenas.

Sinjali mëson se një person ende i paidentifikuar ka hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës ka arritur që t’ia marrë punëtorit të gjithë pazarin ditor në vlerë të mbi 300 eurosh para të gatshme dhe më pas është larguar në një drejtim të panjohur.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se i dyshuari ka qenë i maskuar dhe ka ikur me shpejtësi.

Policia nuk ka arritur akoma ta zbulojë të dyshuarin, por ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, që do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Pas përfundimit të procedurave policore dhe mbledhjes së informacioneve të para, me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Ky është i dyshuari për plagosjen e dy serbëve në qendrën studentore në Veri, shpallet në kërkim