Dy vëllezër e bëjnë llom një 64-vjeçar në Podujevë, e godasin me shkop bejzbolli – njëri ikë

Një 64-vjeçar nga fshati Llapashticë e Epërme e komunës së Podujevës, ka përfunduar në spital mëngjesin e sotëm, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që mori pasi u bë viktimë e një sulmi fizik ndaj tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë të ditur se llapjani ishte dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi kishte marrë fillimisht ndihmën e parë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Sipas burimeve, 64-vjeçari kishte lëndime të cilat dyshohet se i mori si pasojë e goditjeve me mjete të forta.

Për atë se çfarë i ndodhi burrit nga Podujeva, u njoftua edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë intervistuar 64-vjeçarin, prej ku morën vesh se është sulmuar fizikisht me shkop të bejzbollit nga dy vëllezër.

Sipas llapjanit, njëri nga vëllezërit me të cilin e zuri sherri, gjatë sulmit kishte edhe një armë zjarri, por që nuk e kishte përdorur atë.

Njësitet policore kanë arritur që të arrestojnë njërin nga të dyshuarit, ku është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari që u arrestua dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Prishtinë: Shembet dheu, një veturë bie në gropë