Rasti “Brezovicia”, bastisen disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse
Ferizaj- Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me aksionin e së enjtes që po zhvillohet në kuadër të rastit “Brezovica”, ku thuhet se janë bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në Prishtinë, Ferizaj, Vushtri dhe Lipjan.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se këto bastisje po kryhen për shkak të dyshimit për veprat penale “Fajdeja”, Detyrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe autosalloneve, sot, është duke e realizuar një aksion i cili ka rrjedhë në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrisë dhe Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar se po vazhdon aksioni në rastin “Brezovica”, i cili përfshinë disa lokacione në katër rajone, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.