Vjedhje e rëndë në Suharekë, hajnat hyjnë në një shtëpi dhe vjedhin para e stoli ari në vlerë të 8 mijë eurove
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar një familje në fshatin Gelancë të Suharekës mbrëmë pas mesnate.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë demoluar dhomat e gjumit dhe kanë arritur që të vjedhin para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e pronarit që ka denoncuar rastin në Polici, hajnat kanë vjedhur ari në vlerë të rreth 8 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.