Lajm i keq për ata që kanë kredi në bankë
Çdo qytetar dhe biznes në Kosovë që planifikon të marrë kredi, shumë shpejt do të përballet me norma më të larta të interesit.
Kjo pritet të ndodhë pasi Banka Qendrore Evropiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.
Siç ka bërë të ditur ky institucion më 21 korrik, aktualisht janë rritur normat kyçe të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind, ndërsa planifikohen edhe rritje të tjera gjatë vitit.
Sipas Bankës Qendrore Evropiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme.
“Kjo është arsyeja përse ne kemi rritur normat e interesit: për të dërguar mesazhin se nuk do të lejojmë që inflacioni të qëndrojë mbi 2%”, thuhet në shpjegimin e Bankës Qendrore Evropiane.
Rritja e këtyre normave është situatë që nuk shkon në favor të qytetarëve.
Këtë e konfirmon edhe eksperti financiar në Kosovë, Milazim Abazi. Ai parasheh që bankat që operojnë në Kosovë, shumë shpejt t’i rrisin normat e interesit për kreditë që u japin qytetarëve dhe bizneseve.
“Sigurisht se do të ketë rritje të interesit nga bankat komerciale në Kosovë, ndoshta jo shumë, por do të ketë rritje”, thotë ai.
Për më tepër, shton Abazi, rritja e interesit do të prekë jo vetëm kreditë e reja, por edhe ato që janë dhënë më herët.
Kjo, sepse vendimi i Bankës Qendrore Evropiane, më 21 korrik, ka rritur edhe të ashtuquajturën normë Euribor.
Euribor është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra.
“Për shembull, një kredimarrës ka marrë më herët në një bankë komerciale kredi me 3 për qind interes, plus Euribor. Deri tash, ai [Euribori] ka qenë zero dhe tani do të jetë 0.5 ose 1 për qind dhe, automatikisht, edhe kreditë e vjetra do të shtrenjtohen për 1 për qind. Pra, ato kredi që janë të kontraktura me këtë bazë”, shpjegon Abazi.
Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive në to ka arritur në 4 miliardë euro.
Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi në muajin janar ka qenë 5.66%; në muajin shkurt 5.9%; në muajin mars 5.80%; në muajin prill 5.77% dhe në muajin maj 5.82%.