Kosovarët nisin xhaminë më të madhe të bërë nga shqiptarët në Zvicër, do kushtojë 15 milionë euro

Ky do të jetë projekti më i madh i shqiptarëve që jetojnë në Zvicrën lindore. Xhamia do të ketë një hapësirë prej 1 mijë metrave katrorë dhe do të jetë e ndarë në disa pjesë për shërbime të nevojave të besimtarëve.

“Nga katër projekte konkurruese, më së shumti vota ka marrë projekti i arkitektit Agush Agushi”, tregon Ajrullai. Xhamia do të ndërtohet përballë rrugës së shumëfrekuentuar të qytetit St. Gallen, në Fürstenlandstrasse.

Për pjesën qendrore të faljeve, të ndarë për burra dhe gra, është paraparë një hapësirë e përgjithshme me mbi 500 metra katrorë. Objekti do të jetë i pajisur me kafiterinë për gra dhe do të ketë dy banesa banimi, që do të jenë në shërbim të besimtarëve. Kështu e me këtë ide është prezantuar objekti fetar para një numri të lartë të besimtarëve dhe përfaqësuesve fetarë të ftuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Kroacia dhe Turqia.

I pyetur si financohet projekti, kryetari i xhamisë EL-Hidaje thotë se xhamia do të financohet përmes donacioneve. “Parcella për ndërtimin e xhamisë që kap vlerën 5 milionë është siguruar nga një anëtar i xhamisë”, tregon kryetari i xhamisë, Sadush Hajrullahu. “Ndërtimi i xhamisë do të kushtojë 10 milionë. Ne kemi arritë të mbledhim deri në 2.5 milionë përmes donatorëve”, zbulon për albinfo.ch kryetari i xhamisë El-Hidaje, Sadush Ajrullai.

Projekti ende nuk ka një datë të fillimit të punimeve, pasi mungon lejendërtimi. “Ne nuk kemi një datë të fillimit dhe mbarimit të punimeve, pasi që ende nuk kemi parashtruar kërkesën për lejendërtim tek organet komunale”, shprehet Ajrullai.

St. Galleni ka dy xhami shqiptare. Organizatorët shpresojnë të bashkohen në një xhami, për të pasur një qendër të vetme fetare të komunitetit musliman shqiptar të qytetit St. Gallen.

Lexo edhe:  Arrestohet burri i 39-vjeçarës nga Drenasi që ishte shpallur e zhdukur – policia zbulon detaje

Imami Mehas Alija ka mbi 10 vjet që drejton xhaminë El-Hidaje, ai do veçonte si sukses të punës së tij realizimin e projektit të xhamisë së re dhe bashkimin e xhamive shqiptare në Zvicër. I pyetur cilën rrugë te islamit ndjekin, imami Alija thotë se ndjekin islamin mesatar që promovon paqe e harmoni. “Ne medojmë që ndjekim vijën mesatare të islamit që promovon paqën, tolerancën e harmoninë. Një islam që respekton lirinë e shprehjes e besimit. Tek shqiptarët nuk ka pasur vend radikalizmi, ekstremizmi dhe për ne është e panjohur një gjë e tillë».

Për ndërtimin e xhamisë së re, imami Alija thotë se kanë bërë disa hapa shumë të rëndësishëm. «Sonte po shpalosim projektin fitues që ka ardhë si rezultat i votimeve të besimtarëve. Xhaminë e shoh si një shtëpi multufunksionale, me hapësira për të gjithë dhe jo vetëm për muslimanët. Ka ardhë koha që ne të ndërtojmë xhami që duken e që janë të hapura për vizitorë e në shërbim të të gjithë qytetarëve».