Psikologia Telaku: Gratë e fshatit që punojnë bahçen e mbajnë lopë, kanë kohë të merren me seriale

Serialet edhe pse jo të realizuara në vendin dhe gjuhën tonë gjithmonë kanë qenë pjesë e kulturës. Viteve të fundit fronti ka qenë i destinuar vetëm për dramat turke. Transmetimi  në ‘’Prime time’’ i një jete paralele nga ajo që shikuesit e jetojnë ka bërë që ato të marrin vëmendjen e publikut e nganjëherë të diskutohen më shumë se ngjarjet politike e ‘’Big Brother’’.

Psikologia, Lumnije Telaku për Insajderin ka deklaruar se shikues të serialeve janë kryesisht ata njerëz që nuk e kanë jetën e mbushur me aktivitete.

“Serialet i shohin pasi jetën e tyre nuk e kanë të përmbushur me gjëra konkrete. Pra, nuk e kanë një punë, nuk e kanë një angazhim dhe jetën nuk e kanë të përmbushur me diçka”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në shikueshmërinë e tyre përveç faktorëve personal ndikojnë edhe faktorët e jashtëm të shikuesit.

“Domethënë serialet më shumë shikohen nëpër fshatra. Në bazë të disa anketave të realizuara, kemi kuptuar se në qytetet e mëdha shikohen shumë më pak se në fshatra. Sepse në fshatra është koha më e lirë. Për shembull një grua e fshatit, ka me e punu bahçen apo ka me e mbajtë një lop dhe nuk ka ndonjë aktivitet tjetër, prej mëngjesit deri në darkë kanë kohë me u marë me to. Edhe normal e diskutojnë nëpër komshi”, ka deklaruar Telaku.

Ajo ka thënë se serialet sidomos ato turke kanë ndikim negative tek audienca që i shikon.

“Problem është se edhe nëse nuk ke histori si ato të personazheve të serialit ato prapë se prapë mund të ndikojnë. Realisht ndikohen pasi e marrin si një lloj modeli dhe veprojnë njëjtë”, ka shtuar psikologia duke thënë se kategoritë e lartcekura janë më të ndikueshme.

Lexo edhe:  Sveçla zbardh fakte tjera për sulmin në Banjskë, dyshime për përfshirje edhe djali i Vuçiqit

Sipas saj, serialet kanë edhe ndikim pozitiv përveç atij negativ.

“Efekti pozitiv i tyre varet prej vetëdijes së personit që e sheh. Dikush është i prirur të jetë më optimist dhe i merr ngjarjet e mira nga një situatë. Nëse është një person i pa përmbushur dhe ka konflikte të veta të brendshme, normal që do të fokusohet tek anët negative. Do me thënë kjo varet prej karakterit dhe personalitetit të njeriut. Nëse njerëzit janë në gjendje të filtrojnë serialin është shumë pozitive. Pra, të analizojnë anën e mirë dhe të të keqe të një ngjarjeje”, ka shtuar Telaku.