Klienti ia hedh keq punëtorit në Shkabaj, paguan naftën me 50 euro fals – merr kusurin origjinal
Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës.
Kështu e ka pësuar së fundi një pompë derivatesh në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, saktësisht në fshatin Shkabaj, ku një klient ua ka hedhur keq, duke paguar me para false.
Sinjali mëson se i dyshuari i cili është ende i paidentifikuar, ka shkuar në pompën e derivateve dhe ka kërkuar që të furnizohet me pesë euro naftë. E këtë shërbim ai e ka paguar me një kartëmonedhë prej 50 eurosh, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa kartëmonedha është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Ndryshe, trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg.
Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro.