Zjarr në një shtëpi në Prizren, lëndohen banorët duke tentuar të shpëtojnë

Dy persona kanë mbetur të lënduar pasi një zjarr shpërtheu në shtëpinë e tyre në rrugën “Asllan Berisha” në Prizren, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Policia dhe Zjarrfikësit kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se incidenti ka ndodhur pas orës 05:00 të mëngjesit, kur u kërkua ndihmë për zjarrin që kishte kapluar shtëpinë, brenda së cilës ndodheshin dy persona.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës thonë se dy banorët e kësaj shtëpie duke tentuar t’iu shpëtojnë flakëve janë intoksikuar dhe më pas janë rrëzuar, duke pësuar lëndime.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë përkatëse, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa viktimat po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas informacioneve të para, gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Shkaktari i incidentit akoma nuk dihet dhe pritet të zbulohet gjatë hetimit të rastit, që u iniciua me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Lexo edhe:  Arrestohet Agron Gashi, i dyshuar për plagosjen e trefishtë në Pejë