Kaos: Frika nga shpërthimi i Termocentralit Kosova A ndërpreu prodhimin, KEK-u po gënjen
KEK-u e ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka thënë që me 19 korrik e ndaloi bllokun A5, kinse për ta dërguar në remont të rregullt. Dokumentet flasin ndryshe. Ekspertët janë frikësuar atë natë për ndonjë shpërthim. Nacionale mëson që gjendja në KEK është kaotike.
Mesnata e 19 korrikut, mund t’i ketë gjetur qindra-mijëra kosovarë duke shikuar ndonjë film ose duke qëndruar në telefon para gjumit, por në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka qenë një moment i madh paniku.
“Një zhurmë e madhe është dëgjuar tek gjeneratorët poshtë. Një zhurmë e pazakontë dhe shqetësuese”, tha një punëtor i KEK-ut për Nacionale, duke mos dashur të zbulojë identetitin e tij.
Punëtori e përshkroi si një moment kaotik, gjendjen në njësinë A5 në Termocentralin Kosova A, vendimin për të ndalur punën në këtë njësi, pas zhurmave jo të zakonshme dhe ndaljen e kësaj njësie e cilësoi si të dhunshme. Disa burime të Nacionales, brenda KEK-ut e kanë konfirmuar të njëjtën gjë. Megjithatë sipas KEK-ut, gjithçka është në rregull dhe punët po shkojnë sipas planit.
Por Nacionalja ka gjetur se në fakt, asgjë nuk po shkon sipas planit në këto dy njësi. Teksa për njësinë A3, KEK thotë se do të lëshohet në prodhim, të premtën e 22 korrikut, njësia A5 është në rrugë qorre.
Njësia A5 që prodhon rreth 130 megavatë energji elektrike ishte planifikuar të shkonte në remont (servisim të thellë) me 16 korrik të këtij viti, por kjo gjë nuk ka ndodhur. KEK-u ka lënë në prodhim këtë njësi më shumë se sa që ka qenë e planifikuar. Sipas rregullave teknike brenda KEK-ut njësia A5 duhej të shkonte në remont pas 32 mijë orëve pune, por menaxhmenti i KEK-ut e ka lënë këtë njësi që është e vjetër 47 vite (1975) të kapërcejë mbi 40 mijë orë pune.
Për ta bërë situatën edhe më kritike, KEK-u as nuk ka angazhuar kompani për të kryer punimet. Një tender i hapur më herët ka dështuar pasi nuk ka aplikuar askush. Tash njësia është e ndalur, por se kush do ta servisojë, nuk e di askush. Në ndërkohë, dimri po afrohet dhe nevoja për energji elektrike pritet të dyfishohet.
KEK-u thotë se ka një plan, por s’ka kush ta ekzekutojë
Duke dashur ta paraqes kaosin brenda dy njësive si diçka që e kanë nën kontrollë – menaxhmenti i ri i KEK-ut, bordi që i emëruar nga Qeveria Kurti II dhe drejtorin ekzekutiv Nagip Krasniqi, i zgjedhur në këtë pozitë që nga tetori i 2021-s – ka lëshuar të mërkurën një komunikatë për media nëpërmjet se cilës, lajmëruan se “njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi”.
Sipas komunikatës, kjo ndalje është bërë “sipas planit për përgatitjet e zakonshme për sezonin dimërorë”, por në fakt ndalja është bërë pa plan dhe vetëm pasi personeli i punëtorëve brenda në KEK kanë dëgjuar “zhurma të mëdha” brenda gjeneratorëve të njësisë.
Një dokument i siguruar nga Nacionale që është “raporti i kryeinxhinierit të ndërtimit”në Termocentralin Kosova A, thuhet se “Blloku është ndalur në ora 24:00, sipas udhëzimeve, për shkaqe teknike”.
Një punëtor brenda KEK-ut, i ka thënë Nacionales se “udhëzimet për ndalje të bllokut kanë ardhur jo në kuadër të planit për ndalje por pasi është alarmuar për probleme serioze brenda njësisë”.
Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, megjithatë insiston se ndalja e njësisë A5 është bërë sipas planit të parashikuar. Kur Nacionale i tha se në dokumentin që ka sigurar, thuhet se njësia a5 ishte planifikuar të shkonte në servisim me 16 korrik, për 16 ditë pune, Bucolli, tha se “dallimi tre-ditor është i zakonshëm”.
“Ka qenë e planfikuar. Sa i përket datës, ka mundësi që edhe ka ndryshuar. Se përditësohen të dhanat, në bazë të pajisjeve të vjetra”, tha Bucolli për Nacionalen.
Ai e pranon se KEK-u nuk e ka një kompani e cila do të kryente riparimin e njësisë A5, por thotë se këtë punë do ta kryejnë punëtorët e KEK-ut. Por kjo nuk qëndron.
Disa punëtorë të KEK-ut me të cilët Nacionale ka biseduar dhe burime të tjera kanë konfirmuar të njejtën gjë: njësia A5 mund të servisohet vetëm nga një kompani e tretë.
“Nëse punimet po mujkan me i kry punëtorët atëherë pse është hapur tenderi për punimet bash në Njësinë A5 edhe ka dështuar sepse s’ka apliku kërkush”, tha një punëtor, inxhinier në Termocentralin Kosova A.
Se tenderi i KEK-ut për të gjetur një kompani që do të kryente punimet në këtë njësi ka dështuar, e pranoi edhe vet Bucolli pasi Nacionale e pyeti në lidhje mbi “arsyet pse është hapur tenderi për një punë që kanë mundur ta kryejnë punëtorët”.
Edhe një dimër me batanije?
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli i tha gazetës se plani i Korporatës për njësinë A5 është që shumë shpejt ta kthej në prodhim. Nuk dha ndonjë datë. As nuk e pohoi nëse 31 korriku i planifikuar më herët, qëndron ende. Në vend të kohës, ai tregoi procedurat e punës, pasi gazeta i kërkoi të sqaronte më në detaje “planin e KEK-ut”.
“A5 masi të qelet, pasitë ftohet, duhet të bëhet ekzaminimi dhe të dihet se cilat pjesë do të ndërrohen e sa kohë lypet për këtë punë, e tani dihet koha sa do të zgjasin punimet”, tha Bucolli.
Punëtorët brenda KEK-ut pajtohen me këtë deklaratë, ama thonë se këto punë duhet t’i kryej kompania që nuk është kontraktuar.
“Problemi qëndron se është ndalë prodhimi pa e pasur një kompani që do të kryej punët. Askush nuk mund të kryej këto punime në mënyrë profesionale përpos një kompanie”, tha një punëtor i KEK-ut.
Ai madje thotë se “më shumë ka frikë nga njësia A3 e cila nuk po mund të lëshohet në prodhim” sesa problemi me njësinë A5.
“Për A5 edhe mund të gjendet kompania, por për A3 problemi është se nuk po mund ta lëshojnë në prodhim. Dhe kjo nuk ka ndodhur më parë. Nëse A3 komplikohet, atëherë është problem i madh. Edhe rrezik i madh”, tha ai. Nacionale gjatë ditëve në vazhdim do të hulumtojë mbi “problemet serioze të njësisë A3”.
“Pa këto dy njësi, sivjet s’ka rrymë”, tha punëtori.
Në KEK, në anën tjetër thonë se s’ka nevojë për panik.
“Njësia A3 do të lëshohet shpejt, e edhe njësia A5 do të riparohet. Nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim,” – tha Bucolli.
Njësitë A3 dhe A5 janë të vetmet që prodhojnë energji nga Termocentrali Kosova A. Njësitë A1 dhe A2 nuk janë në prodhim. Ndërsa dy blloqet B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B prodhojnë 400 megavat energji elektrike. Pa dy njësitë e Kosova A, KEK nuk do të mund të përmbushë as 50 për qind të kërkesave për energji elektrike gjatë dimrit. Si opsion i fundit, mbetet propozimi i kryeministrit Albin Kurti gjatë këtij dimri: “me u mbulu me batanije”.