Abdixhiku: Kurti në Kuvend m’u duk si do fëmijë të mëhallës që kur humbnin e merrnin topin e iknin në shtëpi
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit sot në Kuvend e bëri një vlerësim për Abdixhikun dhe Avdullah Hotin, duke thënë se ‘nuk janë as çereku i zëvendësit aktual dhe ministrit të financave’.
Abdixhiku në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se Kurti në Kuvend ishte i çakorduar në mendimet e tij.
Sipas tij, Kurti humbi argumentin e debatit politik për një temë shumë të rëndësishme për Kosovën, dhe thotë se filloi të merret me çështje personale. Madje Abdixhiku e krahasoi si “disa fëmijë të mëhallës që kur humbnin e merrnin topin e iknin në shtëpi’.
“E shihni sa i çakorduar është në mendime. Ma qoj mallin, në mëhallë i kemi pas disa fëmijë që përpara kjur lunin futboll e kanë pas topin, kanë qenë pronarë të topit, dhe sa herë humbnin, e merrnin topin dhe iknin në shtëpi. Kështu mu duk sot. Kur e humbi argumentin e debatit politik për një temë shumë të rëndësishme për Kosovën, filloi të merret me çështje personale”.
Abdixhiku tutje tha se ministrat e LDK’së në qeverisjen e Kurtit kanë qenë ministrat më të mirë.
“Na mund të themi, po cka ti bëjmë tashti raportet që i kishte shkruar atëherë kur ishim bashkë në 100 ditë, e që bëntë lavdata. Për gjithë ministrat e LDK’së. Kanë qenë ministrat më të mirë. Unë nuk ndërroj mendim për të për punën që kemi pas atëherë. Unë konsideroj që ky është i paaftë dhe i dëmshëm për të udhëhequr Kosovën. Por tani të merremi me ofendime personale në këtë çështje madhore, nuk besoj që i takon një lideri. Më dukej si ai fëmiju që e merr topin dhe ikë”, tha Abdixhiku.
Lideri i LDK’së thotë se nuk i ka lënë përshtypje kjo deklaratë e Kurtit, pasi sipas tij, kjo nuk është madje as sjellje e një burrështetasi.
“Këto çështje as nuk më lënë përshtypje, as nuk janë ofenduese, as nuk i trajtojë serioze, as nuk janë sjellje të një burrështetasi”.