Burrë e grua në Fushë Kosovë kapen mes vete për pajisjet e kuzhinës, përfundojnë në Polici
Mosmarrëveshjet mes çifteve ndodhin për arsye të ndryshme.
E shpesh herë konfliktet verbale eskalojnë në ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit, e madje në raste të caktuara edhe në dhunë fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Disa pajisje elektroshtëpiake janë bërë mollë sherri mes një çifti në një familje në rrugën ‘Drenica’ në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson se burrë e grua të moshave 70 dhe 67-vjeçare sot janë përleshur mes vete pas një mosmarrëveshjeje për disa pajisje të kuzhinës.
Si pasojë e kësaj, çifti i moshuar ka përfunduar në stacion policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’ dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.