“Gruan e mbyta dhe e godita me sëpatë, vuajti shumë”, 80-vjeçari pranon krimin horror: Vëllai më ngacmonte bashkëshorten
Janë zbardhur detaje të reja nga krimi i dyfishtë që tronditi Gramshin pasditen e djeshme. 80-vjeçari Xhevat Sinani vrau gruan dhe vëllain e tij në Tërvol të Gramshit.
I moshuari ka dhënë dëshmi kontradiktore në polici, pasi rezulton se vuan dhe nga probleme të shëndetit mendor. Fillimisht ai deklaroi se nuk mbante mend asgjë.
Por në dëshminë e dytë Sinani ka pohuar se si fillimisht ka vrarë vëllain e tij me sëpatë në oborrin e banesës dhe më pas ka shkuar brenda dhe ka dhunuar të shoqen, të cilën dyshohet se e ka mbytur dhe më pas goditur me sëpatë.
Krimi horror dyshohet se ka ndodhur për motive xhelozie, pasi i moshuari mendonte se vëllai, Shaqiri i ngacmonte gruan, Zegjinenë, 72 vjeçe.
“Gruan e torturova dhe e mbyta. Vuajti shumë, e godita dhe me sëpatë. Vëllai nuk vuajti”, mësohet të jetë shprehur në dëshminë e tij makabre 80-vjeçari.
Vëllai i tij jetonte i vetëm, pasi gruaja i kishte ndërruar jetë prej vitesh.