Murati me propozim: Të falen 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pas ankesave të shumta për rritjen e çmimit të tatimit në pronë, ka dhënë propozim që tatimpaguesve t’u falen deri 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.
Këtë propozim ai e ka dhënë në Komisionin Parlamentar për Buxhet, teksa për të ka folur në një postim në Facebook, shkruan lajmi.net.
Megjithatë, ai thotë se propozimi i tij është refuzuar nga opozita.
Postimi i plotë i Muratit:
Sapo përfundova raportimin në Komisionin Parlamentar për Buxhet, në lidhje më çështjen e faturave të tatimit në pronë.
Me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, dhashë propozimin konkret që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.
Kjo do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri të cilin do ta procedojme shumë shpejt në Kuvend për miratim.
Mirëpo, deputetët e opozitës ishin kundër këtij propozimi, përkundër faktit se deri sot kanë kërkuar veprim konkret që të lehtësohet barra e qytetarëve.
Kjo dëshmon edhe njëherë që kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve, për opozitën, veprat dallojnë nga fjalët.