Një i mitur serb sulmohet fizikisht në fshatin Suhodoll të Mitrovicës

Një i mitur serb ka raportuar se është sulmuar fizikisht në Suhodol të Mitrovicës.

Lazar Milutinoviq , 15 vjeçar, tha se është rrahur nga katër shqiptarë mëngjesin e sotëm.

I njëjti pas pranimit të trajtimit mjekësor, theksohet të jetë liruar për në shtëpi.

Ai tha nuk e ka të qartë se pse është sulmuar.

“Sot në mëngjes shkova në punë dhe më ndaloi një makinë. Më thanë diçka në shqip, nuk e kuptova, ula kokën dhe vazhdova. Ata dolën nga makina, fillova të ikja nga ta, por më kapën. Më kapën dhe më pas më goditën me shkelma dhe nuk më thanë asgjë, vetëm më rrahën dhe ma morën telefonin nga xhaketa”,tha ai për “KosovoOnline”, transmeton lajmi.net.

Ai tha se kjo është hera e parë që i ndodhi diçka e tillë dhe se nuk kishte pasur asnjëherë problem me fqinjët shqiptarë.

Në lidhje me këtë rast janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, ku kanë theksuar se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Sipas ankuesit  m/s/kosovar, i moshës së mitur,  sot rreth orës 05:15, deri sa  ka qenë në rrugë në fshatin Suhodoll,  është sulmuar fizikisht nga katër  persona të dyshuar. Lidhur me rastin, hetuesit policor janë duke ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar” – thuhet në njoftim.

Po ashtu nga policia u tha se të gjitha veprimet e deritanishme hetimore i janë paraqitur prokurorit të rastit.

Sipas policisë, rasti është iniciuar dhe është duke u hetuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”./Lajmi.net

Lexo edhe:  Vetura "Mercedes G-Class" që u gjet në Banjskë është e Milan Radojçiqit