Tronditëse: 13-vjeçarja në Prishtinë ngelet shtatzënë, ishte në lidhje dashurie me një 16-vjeçar

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Situata rëndohet edhe më shumë, kur si pasojë e dhunimit, viktimat ngelen shtatzënë, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje tronditëse dyshohet të ketë ndodhur në Prishtinë, ku një vajzë e moshës 13-vjeçare ka mbetur shtatzënë si pasojë e marrëdhënieve seksuale me një person i cili po ashtu është i moshës së mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se nëna e vajzës ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se shtatzënia e të miturës është konstatuar nga mjeku specialist i gjinekologjisë.

Në kuadër të veprimeve hetimore, e mitura është intervistuar nga hetuesit policorë në prezencën e prindit të saj dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale. 13-vjeçarja ka deklaruar se ka një vit e gjysmë që ka filluar lidhjen me të dyshuarin, me të cilin kishin pasur marrëdhënie seksuale.

Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari nuk ka kryer aktin me dhunë, por gjithçka është bërë me dëshirën dhe pëlqimin e të dyja palëve.

Si rezultat i denoncimit, 16-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar rreth veprës penale ‘Dhunim’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet.

Lexo edhe:  Krimi i rëndë në Vushtrri: Kryeprokurori jep detajet e fundit