Kryetari i Reçakut: Nuk m’u lejua të flas në përkujtim të masakrës, nuk donin t’i përmendja ish-krerët e UÇK-së

“Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, kanë urdhëruar që të mos përmendet UÇK-ja në akademinë përkujtimore për Reçakun”, deklaroi ditën e djeshme kryetari i OVL-së së UÇK në Shtime, Ramiz Smajli. Lidhur me këtë çështje ka folur edhe kryetari i Reçakut, Adem Ramadani.

Ramadani, në një lidhje direkte për Frontal të T7 tha se dyshon që Zyra e kryeministrit Albin Kurti e hoqi nga lista e fjalimeve fjalën “UÇK” për shkak se aty i kishte përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Fjalimi im ka qenë përshëndetës për të pranishmit, për kryeministrin, presidenten, Z. William Walker, por ka qenë edhe një keqardhje për krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë”, tha Ramadani.

Ramadani tregoi për komunikimin që e kishte paraprakisht me Shenaj Shalën, përgjegjësen e Protokollit në Kabinetin e Kryeministrit.

“Më 13 janar, kah ora 2 më kanë thirrur nga kabineti i kryeministrit, zonja Shenaj Shala”, thotë Ramadani.

Sipas tij, ajo ka kërkuar që Ramadani t’ia dërgojë fjalimin përmes e-mailit për shkak se u duhet ta përkthejnë edhe në anglisht.

“Ia kam dërguar fjalimin tim në dy forma. Tha a ke folë aty për martirë? Thash normalisht. I kam përfshi të gjithë”.

“Më kanë thirrë pas dy ore dhe më tha se fjalimin tënd ende s’e kam lexu por ka lindur një problem tjetër. Duhet me u heq ti se i kemi dy propozime tjera”, thotë Ramadani.

Ndryshe, ditën e djeshme, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me këshilltarin e presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili ka thënë se ky pretendim nuk qëndron. Ai e ka cilësuar si shpifje e gënjeshtër reagimin e OVL-UÇK.

“Ta ruajmë përkushtimin tonë për lirinë, të cilin e dëshmuan vajzat e djemtë e UÇK-së, ta kultivojmë këtë ndjenjë lirie, të bëjmë gjithçka që paqja të mbretërojë në vend e në gjithë rajonin tonë, por gjithnjë duke u bazuar në të vërtetën e duke luftuar mashtrimin. Kjo fjali është në fjalim. Prandaj, është shpifje dhe gënjeshtër një pretendim i tillë”, ka thënë Kupina për Insajderin.

Lexo edhe:  Aksident i rrezikshëm: Cisterna e derivateve godet kamionin në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, krijohet kolonë e gjatë