30-vjeçari gjuan me armë dhe kërcënon një person pas një konflikti për parking: “Heke kerrin se me dalë t’kallxoj ty”
Mosmarrëveshjet për parkingje shumë shpesh kanë shkaktuar incidente, të cilat kanë eskaluar në rrahje e kërcënime serioze.
Për të mos mbaruar me kaq, në këto raste shpesh përdoren edhe armët, që përveç se mbahen kundërligjshëm, përdorimi i tyre po cenon edhe sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e tillë dhe mjaft e frikshme ka ndodhur dje në fshatin Dobërqan të Gjilanit, ku një rrugë u bë mollë sherri për dy qytetarë.
Sinjali mëson se derisa viktima kishte parkuar automjetin para një lokali ku po bënte furnizim me produkte ushqimore, është përballur me të dyshuarin i cili i revoltuar që i ishte zënë rruga, ka gjuajtur me armë zjarri në ajër.
30-vjeçari i ka kërkuar viktimës që ta largojë menjëherë veturën nga rruga, duke i thënë ‘heke kerrin e lshoma rrugën se me të dalë t’kallxoj ty’.
I shqetësuar dhe i frikësuar nga fjalët dhe veprimet e të dyshuarit, 19-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici. Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ndërkohë atij i është sekuestruar arma ilegale bashkë me një karikator dhe fishekë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe të hetohet për dy vepra penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Kanosje’.