Banorë të disa fshatrave në Lipjan i kryejnë varrimet në parcela private afër shtëpive

Në disa fshatra të Komunës së Lipjanit banorët kanë ndarë parcela private për t’i kryer ceremonitë e varrimeve për të afërmit e tyre.

Banorët e fshatrave Banullë dhe Qallapek thonë se shkaku i kësaj po krijohen telashe edhe me ndotjen e shpeshtë të puseve me ujë të pijshëm, që vërshohen nga të reshurat. Ani se në fshatin Banullë Komuna vite më parë pati ndarë një parcelë publike për varreza, qytetarët ende po i kryejnë varrimet në parcela private rreth 20 metra larg shtëpive të banimit.

E kjo ka nxitur reagimin e kuvendarëve që kërkuan të hartohet një rregullore e re për ceremonitë e varrimeve, ashtu që parcelat të ndahen jo më afër se 500 metra nga shtëpitë e banimit.

“Në Komunën e Lipjanit dihet se është një fenomen, i cili në çdo fshat ka varreza me lagje ndërkaq vetëm fshati im Banulla i ka 13 palë varreza, ku e kemi të ndarë edhe parcelën për ato varreza, por ende familjarët vazhdojnë t’i dërgojnë të vdekurit në parcela private. Ky është një fenomen dhe nuk është punë e mirë. Është një punë mjaft e keqe, sepse ka shumë varreza dhe e kemi edhe problemin e sëmundjeve ngjitëse, sepse nëse kemi një vërshim atëherë uji depërton në varreza dhe mund të vijë deri te uji i puseve, andaj është mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme”, tha Arsim Jashari, banor i fshatit Banullë e që është edhe Kuvendar i PDK-së.

Me gjithë premtimet, Komuna nuk ka ndarë ende ndonjë parcelë publike për varrime në fshatin Qallapek.

Ramadan Isufi, banor i fshatit, thotë se sa herë që ka vërshime varrezat në parcela private mbushen me ujë që i ndot puset e ujit të pijshëm.

Lexo edhe:  Vetëm gjatë gushtit 136 çifte i dhanë fund martesës së tyre, ja cilat qytete prijnë me shkurorëzime

“I kemi 7 apo 8 palë varreza në fshat, andaj mirë ka qenë që ato të vendosen në një vend të përbashkët, mirëpo aty vendos dikush tjetër, ndërkaq sa i përket pastrimit ato mirëmbahen nga Komuna dhe janë në rregull, po i kemi 7 a 8 palë varreza. Prej kohësh ka mbetur që secila lagje i ka hapur varrezat e veta”, tha Isufi.

Në Komunën e Lipjanit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen.