Vdes papritur stjuardesa 24-vjeçare e “Air Albania”
Një vajzë 24-vjeçare, stjuardesë në linjën e avionëve Air Albania ka humbur jetën tragjikisht, në një aeroport në Londër. E reja ka rënë papritur, pa ndjenja në bordin e avionit, teksa raportohet se ajo ka qenë me shenja jete për disa minuta.
Ambulanca e ka marrë me urgjencë stjuardesën e “Air Albania”, për ta dërguar në spital, por fatkeqësisht 24-vjeçarja nuk ia ka dalë dot.
Burime për JOQ ALBANIA konfirmuan lajmin e vdekjes së 24-vjeçares, por nuk dihet nëse ajo është shqiptare apo e huaj. Gjithashtu nuk dihet as shkaku i vdekjes.
Një zëdhënës i policisë në Britaninë e Madhe, tha për mediat se shërbimet iu përgjigjën menjëherë thirrjes për ndihmë, por pavarësisht përpjekjeve stjuardesa nuk mbijetoi.
Kompania “Air Albania” nuk ka bërë asnjë lajmërim në lidhje me këtë ngjarje, e cila thuhet se ka ndodhur më 21 Dhjetor. Ndërkohë, mediat në Angli kanë publikuar lajmin, por identiteti i vajzës ende nuk dihet.