Dita e 16-të e barrikadave në veri të vendit

Sot janë bërë 16 ditë prej kur serbët në veri të vendit kanë vendosur barrikada duke bllokuar qarkullimin.

Si pasojë e tyre, pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara, edhe pse janë bërë disa thirrje nga Qeveria e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar që rrugët të zhbllokohen, shkruan Klan Kosova.

Për situatën e fundit në veri,  dje kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media, u shpreh se KFOR-i kërkoi pak kohë.

“KFOR-i ka kërkuar pak kohë prej neve dhe ne i kemi dhënë pak kohë dhe jemi dëshmitar që sot janë bërë dy javë që janë vendosur 11 barrikada gjithsej të cilat ndodhen në veri të lumit Ibër dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë dhe të sigurt, me vlerë kryesore lirinë e lëvizjes. Liria e lëvizjes ka qenë vlera kryesore të cilën e ka afirmuar KFOR-i në këto 23 vjet e më shumë të pasluftës në Kosovë”.

“Prandaj, edhe ne i kemi dhënë kohë KFOR-it pikërisht për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR-it”, tha Kurti.

Ai gjithashtu u shpreh se pas Krishtlindjes do të kenë edhe takim me komandantin e KFOR-it.

Ndërsa, të premten lomandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.

Ristuccia ka thënë se të gjithë të përfshirët është e rëndësishme që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë tensione.

“Komandanti i Misionit të KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces”, ka thënë Ristuccia.

Lexo edhe:  Kurti e Sveçla në Veri, vendosin gurthemelin e stacionit të ri të policisë në Leshak

Në këtë pjesë të vendit janë vendosur 11 barrikada, po ashtu ka edhe monitorim të situatës nga KFOR dhe Policia e Kosovës.