Ekspertët: Policia e Kosovës i ka kapacitetet për largimin e barrikadave

Njohës të sigurisë në vend vlerësojnë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet për largimin e barrikadave, por konsiderojnë që duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rrezikshmërinë ata mendojnë se nuk duhet vepruar pa koordinim të plotë më KFOR-in.

Kosova, edhe pse ka kapacitet për t’i larguar barrikadat në veri të vendit, nuk do të duhej që të bënte një veprim të tillë pa koordinim me KFOR-in. Kështu konsiderojnë njohës të sigurisë në vend. Ish komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njohës i çështjes së sigurisë, Kadri Kastrati ka deklaruar për Radio Kosovën se megjithëse Policia e Kosovës ka kapacitete që t’i largoj barrikadat, megjithatë ka thënë se ky nuk është një operacion i thjeshtë, prandaj edhe ka rekomanduar institucionet e vendit që të veprojnë me kujdes.

“Nëse Policia e Kosovës do të hyj në një operacion të tillë, do të ishte shumë e rrezikshëm dhe të të mund të kishte pasoja edhe në njerëz. Unë mendoj që KFOR, do të duhej që të kyçej aty, se pari të bej një perimetër të sigurisë qindra metra të largoj ata njerëz nga aty e më pas të veproj dhe t’i largoj barrikadat”, ka thënë Kastrati.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka thënë se nuk duhet bërë asnjë veprim pa koordinim me KFOR-in pasi sipas tij, e gjithë situata në veri të vendit ka ndodhur për shkak të mos koordinimit të institucioneve kosovare me ndërkombëtaret.

“Policia e Kosovës, që në barrikadën e parë që është vendosur në Rudare, por çështja është se niveli politik i ka leju dhe tolerua veprimet e tilla”, ka thënë Shala.

Sidoqoftë barrikadat në veri të vendit të vendosura nga serbet lokal për 14 ditë me radhë, i kanë bllokuar rrugët që shpiejnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bernajk. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar të enjten se nëse KFOR nuk i largon barrikadat, Policia e Kosovës i ka kapacitetet e plota për t’i larguar ato.

Lexo edhe:  I thyhet xhami i veturës një kosovari Gjermani në të cilin ishte emblema e UÇK-së