“Gardiani nuk më kishte harruar, më përqafoi”, Limaj rrëfen detaje nga vizita te ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për vizitën e tij në Hagë, ku i ka vizituar ish-shokët e luftës për çlirimin e Kosovës, ish- drejtorin politik të UÇK-ës, Hashim Thaçin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin, ish-shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-inspektorin e UÇK-së, Rexhep Selimin.

Limaj ka rrëfyer për rikthimin e tij në Hagë pas 20 vjetësh, duke thënë se për të ka qenë diçka që ai nuk e kishte imagjinuar.

“S’kam besuar që do të vijë një situatë e tillë. Që do të kthehem pas 20 viteve si vizitor për t’i vizituar bashkëluftëtarët e mi, ata që kanë qenë emblema e çlirimit të Kosovës edhe shtet ndërtimit”, ka rrëfyer Limaj.

“Kur kam hyrë në Holandë më janë kujtuar të gjitha sakrificat e familjes time që një pjesë e tyre sot nuk jetojnë më, e unë e kisha për herën e parë që bëj vizitë në Hagë. Familjarët e mi më kanë ardhur më kanë vizatuar për 3 vite me radhë. Edhe unë i ndjeva ato dhimbje, vuajtje, sakrifica, të cilat ata i kanë kaluar gjatë gjithë asaj sfide që unë kam pasur, sa kam qenë i burgosur në burgun e Hagës”, ka thënë ai.

Më tej, Limaj ka thënë se në ndërtesën e burgut të Hagës ishte mësuar që ta vizitonin e jo t’i vizitonte të tjerët.

“Me dilte parasysh takimi me familjarët e mi, sepse nga pozicioni të burgosurit unë e di mirë, edhe për atë hezitojë, s’e dija sesa e vështirë është kontakti i parë me miq kur je i burgosur edhe kjo ka qenë arsyeja pse kam hezituar që të mos i vizatoj për një kohë të gjatë [bashkëluftëtarët]”, ka thekuar ai.

Lexo edhe:  24-vjeçari nga Rahoveci viktimë e fajdes, ‘shokët’ ia kërkojnë 60 mijë € pasi humbën 36 mijë eurot e investuara në kripto

Ndërkohë, kryetari i Nismës ka thënë se i ka parë edhe rojet e burgut, të cilët e kishin ruajtur atë sa kishte qenë i burgosur në Hagë.

“Njëri nga gardianët më njohu me thirri “Limaj”, edhe u përqafova më të, pas 20 vjetëve ende punonte aty, edhe i thashë “nuk më paske harruar”, ma ktheu tha “nuk paske ndryshuar’”, ka treguar Limaj.

Ndërkohë, ai ka thënë se po e ka të vështirë t’i përshkruajë emocionet e tij nga takimet me ish-shokët e luftës.

“Fatkeqësisht janë aty ku janë, por fatmirësisht mirë e dinë pse janë, nuk janë për shkak të veprave të tyre që duhet të shkohet në gjykatë, por janë përshkak të një vepre të madhe, lirisë së Kosovës, e shohin si një sakrificë”, ka përfunduar Limaj.