Gati dy javë nga bllokimi i veriut, serbët nuk lëvizin barrikadat – sot dalin për të protestuar

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar edhe gati dy javë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa policia për nëntë barrikada në total të vendosura nga serbët.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur dje se në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, janë  vendosur disa pika kontrolli të automjeteve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës.

“Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, thuhet tutje në komunikatë, ndërsa ka theksuar se zyrtarët policorë janë të përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtaret policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë”.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës” bëri thirrje për protestë sot  22 dhjetor për kinse “kërcënimeve të fundit të Albin Kurtit”, i cili, sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada.

Thirrja, shtojnë ata, është edhe për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë të Kurtit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të caktojë ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave dhe ra në anën e terrorit dhe dhunës së Kurtit”.

Lexo edhe:  Djali dhe vëllai vizituan sot Thaçin në Hagë: Edhe 7-8 muaj presim të përfundojë procesi gjyqësor

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe publike ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër kryqit, ku populli ynë i përbërë nga mjekët tanë, profesorët, mësuesit, minatorët, të afërmit, fqinjët, nënat, motrat tona të mblidhen së bashku për të dërguar një mesazh të qartë të përbashkët se ne nuk pajtohemi me persekutim dhe vrasje dhe se veriu i Kosovës nuk është as Gjermania dhe as fundi i Kurtit, por vendi ku jetojmë dhe ku duam të qëndrojmë e të mbijetojmë”, thuhet në njoftim.