Policia gjen mbi 19 kilogramë marihuanë në një shtëpi në Prizren, arreston një person

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë konfiskuar mbi 19 kilogramë marihuanë në një shtëpi në Prizren, për çka është arrestuar një person.

I arrestuari është A.Q, i moshës 39-vjeçare, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gr substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Konfiskohen mbi 19 kg marihuanë dhe arrestohet një i dyshuar

Prishtinë, më 21 dhjetor 2022

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetim e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror, kanë trajtuar një informacion për posedim të lëndëve narkotike nga një i dyshuar. Kështu, pas hetimeve paraprake, kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin; A.Q., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar), kanë arritur ta lokalizojnë shtëpinë e tij dhe sot, më 21.12.2022, pas plotësimit të procedurave për kontroll nga organet e drejtësisë, në ora 12:27 është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gr substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar ndaj tij është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas intervistimit, me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Lexo edhe:  Vendosen gurë në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë, shmanget fatkeqësia