A po shtyhen zgjedhjet në Veri? Vjosa Osmani mbledh sot krerët e partive politike

Ditët në vijim, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk do t’i ketë fare të lehta. E para e shtetit do të duhet të vendos për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 tetor në veriun e vendit. Për këtë çështje ka nisur edhe presioni ndërkombëtar, shkruan Gazeta Sinjali.

Osmani është ende në pritje të raportit nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë vendimin për shtyrje ose jo të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në veri të vendit.

Për këtë çështje, Osmani do të takohet sot me partitë opozitare.

Liderët e partive politike parlamentare mbrëmë u kishte ardhë ftesa nga Osmani për t’u takuar sot në ora 14:30.

Në këtë takim do të diskutohet situata e sigurisë në veri dhe pengesat që janë paraqitur për të garantuar një proces të sigurt zgjedhor në katër komunat veriore.

Pas incidenteve në veri, nga SHBA kanë thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se ato duhet të shtyhen.

Këtij mendimi i është bashkëngjitur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se zgjedhjet duhet të shtyhen.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti një mbledhje urgjente pasditen e djeshme. Ajo ishte e mbyllur, siç nuk ndodh zakonisht. Aty u diskutua lidhur me rekomandimin për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që është caktuar të mbahen më 18 tetor.

Pas përfundimit të mbledhjes, zyrtarë të KQZ-së, në kushte anonimiteti i kanë thënë Sinjalit se nuk kanë pranuar rekomandime për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri të vendit.

I njëjti burim tha se në takim janë dhënë informata shtesë për organizimin e zgjedhjeve.

Po ashtu, ky burim bën të ditur se anëtarët e KQZ-së kanë kundërshtuar mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike