“Nuk ka dorëzim” thotë Vuçiq pasi kërcënoi me dërgimin e ushtrisë në Kosovë

Nuk ka dorëzim”, kështu ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas një takimi që ka njoftuar se ka pasur mbrëmë vonë me Ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq.

Këtë deklaratë Vuçiq e ka bërë pasi mbrëmë Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Kjo ndodhi pak orë pasi Policia rriti praninë në komunat e veriut, çka Serbia e cilësoi si “okupim të veriut”, shkruan Reporteri.net.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rrisë praninë e saj në veri, pas situatës së fundit të krijuar atje.

Po mbrëmë një polic i Kosovës është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit, bëri të ditur Policia mbrëmë në orët e vona.

Sipas njoftimit, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM.

Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Gjithçka nisi të martën, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Lexo edhe:  Ky është personi që vdiq si pasojë e zjarrit në një banesë në Gjilan