Një polic i lënduar – Policia fillon të patrullojë edhe në këmbë në pjesën veriore

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët po patrullojnë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, mbrëmë kanë qenë cak i një sulmi të armatosur, me ç’rast ka mbetur i plagosur lehtë një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë me dije se rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të Zveçanit, persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet me targa KM, kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.

“Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit  Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, thuhet në njoftim.

Zyrtari policor është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa bëhet e ditur se vetura e Policisë që u sulmua ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ndryshe incidentet që ndodhën ditët e fundit në veri të vendit, kanë vënë në pikëpyetje mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Gjatë ditës së martë, në komunat në veri të Republikës së Kosovës janë dëgjuar disa shpërthime të njëpasnjëshme. Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur shpërthime e shkrepje armësh, por nuk është raportuar për të lënduar, por vetëm janë demoluar orenditë e zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor.

Lexo edhe:  “E dashura, e ç’dashura” – kryeimami i Obiliqit deklarohet për rastin e hoxhës Behar Mjekiqi

Si pasojë, zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u është pamundësuar kryerja e punës së tyre. Një tjetër shpërthim i fortë ka ndodhur afër zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në orët e para të mbrëmjes të së martës, në vendin e njohur si Tre Rrokaqiejt.

Kjo ka bërë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it janë vendosur para zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut. Brenda kësaj zyre dyshohej për një mjet të pashpërthyer.

E qetësi nuk pati as mbrëmjen e së mërkurës.

Dy sulme me shok-bomba ndodhën në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Kosovës edhe mbrëmë.

Shpërthimet kanë ndodhur më saktësisht afër objektit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tek Lagjja e Boshnjakëve.

Nga Policia e Kosovës konfirmuan se këto sulme s’ka të lënduar e as dëme materiale.

Incidentet në veri, i konsideroi alarmante edhe SHBA-ja. Sipas ambasadorit Jeff Hovenier, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për faktin se aktualisht, mungojnë kushtet e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Ëigemark, është shprehur i shqetësuar nga incidentet, teksa ka bërë thirrje që çfarëdo proteste të jetë paqësore.

Si nga Presidenca, ashtu edhe nga Qeveria, deklaruan se është kërkuar vlerësimi i organeve të sigurisë për të vazhduar me hapa të mëtejmë, derisa mundësinë për shtyrjen e afatit e lanë të hapur të dyja.

Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë dje se do të vazhdojë përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pavarësisht incidenteve të njëpasnjëshme që ndodhën dje.