Qëndroi në arrati për pesë muaj, bie në prangat e Policisë i dyshuari për kultivimin e kanabisit
Para disa muajsh, Njësia Rajonale e Antidrogës në Gjakovë kishte zhvilluar një operacion që rezultoi me identifikimin e disa personave të dyshuar që kishin kultivuar mijëra bimë kanabis në zonën e Malishevës për muaj me radhë.
Një person atë kohë ishte arrestuar, por Policia kishte shpallur në kërkim edhe të dyshuar të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se njëri nga personat që kishte qëndruar në arrati është edhe L.H., 29-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme në kufi. Sinjali mëson se ai është kapur në Merdar, ku pasi ishte ndaluar nga Policia, kishte rezultuar se i njëjti ndodhet në listën e personave të kërkuar.
Pas verifikimit nga ana e Policisë, i dyshuari është shoqëruar për në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për t’u intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Ai po dyshohet se në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë, nga muaji maj deri në muajin korrik kanë kultivuar kanabis në parcela të ndara, në zonën e Malishevës.
Pas shoqërimit në Polici, i njëjti ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë dhe më pas ndaj tij është nxjerrë aktvendim nga Prokurori i Shtetit për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Ndryshe, gjatë aksionit të zhvilluar për këtë rast, në muajin korrik ishte arrestuar edhe Avni Mazreku, i cili kishte tentuar që të ikte nga vendi i ngjarjes, por që nuk arriti të arratisej.