Gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” atakon ulët Xhakën dhe spekulon se Adem Jashari është vrarë nga UÇK

Në një tekst me plot manipulime dhe akuza të pabaza edicioni i së dielës i gazetës “NZZ” akuzon Granit Xhakën se i ka provokuar serbët.

Lidhur me masakrën e forcave serbe ndaj familjes së Adem Jasharit faktet tashmë janë të ditura. Më 5 mars 1998 forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij në fshatin Prekaz dhe filluan një sulm me armë të rënda. Gjatë rreth 50 orëve sa zgjati sulmi forcat serbe vranë 52 anëtarë të familjes Jashari, mes tyre 18 gra dhe 10 fëmijë. Adem Jashari dhe familjarët e tij rezistuan me armë kundër terrorit të policisë serbe.

Pas ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë, në fund të së cilës futbollisti Granit Xhaka u shfaq me fanellën e lojtarit të ri Ardon Jashari, gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” ngriti akuza të rënda kundër Granit Xhakës. Xhaka u akuzua se i ka provokuar serbët. “NZZ am Sonntag” sulmin ndaj Xhakës e ilustroi edhe me një spekulim makabër, duke nënvizuar se “deri më sot nuk është e sqaruar përfundimisht nëse Jashari është vrarë nga njësitë serbe apo nga njerëzit e tij në UÇK për shkak të konflikteve interne për pushtet”.

Autori i tekstit, një gazetar i sportit, nuk ofron asnjë dëshmi për këtë pretendim, as nuk përmend ndonjë burim. Teksti përmban edhe pasaktësi të tjera. Aty thuhet se Adem Jashari e themeloi UÇK-në në fund të viteve 80-të. Xhaka akuzohet e ka ditur saktësisht që në Europën juglindore mbiemri “Jashari” nuk ndërlidhet me Ardon Jasharin e FC Luzern, por me Adem Jasharin, transmeton Koha.

“NZZ am Sonntag” e fajëson Xhakën se me prekjen mes këmbëve dhe me fanellën e Jasharit i paskësh provokuar serbët. Pas këtyre sjelljeve, shkruan “NZZ am Sonntag”, Xhaka mund të ndëshkohet dhe kështu të dëmtojë ekipin zviceran. Provokimet e vazhdueshme të palës serbe kjo gazetë i përmend krejt tërthorazi. Gazeta e krahason Xhakën me një fëmijë problematik dhe spekulon nëse ai me aksionet e tij deshi t’i japë leksione botës mbi historinë e prejardhjes së prindërve të tij.

Lexo edhe:  Nis sezoni në Sarandë, 15-20 euro çmimi i çadrave