Hiqet ishulli i rrugës tek Katedralja në Prishtinë, Komuna ka një plan ta ndryshojë këtë pjesë

Punimet që kanë filluar në Bulevardin “Xhorxh Bush”, janë vetëm një fillim për sheshin e madh i cili do të bëhet në kryeqytet. Kështu thotë për Radio Kosovën nënkryetari i komunës, Alban Zogaj. Megjithatë ai ka bërë të ditur se kjo rrugë do të hapet me 8 janar, për të filluar me procedurat e prokurimit për shesh.

Bulevardi “Xhorxh Bush” në Prishtinë, tashmë ka marrë një pamje tjetër. Në të dy anët e rrugës, janë vendosur shtëpizat e fundvitit ndërkohë që komuna ka filluar përgatitjet edhe për elemente të tjera që do të vendosen aty. Aktualisht, komuna ka filluar largimin e trotuarit në mes të rrugës, e për të cilat nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, ka konfirmuar për Radio Kosovën se ato janë një përgatitje për sheshin e madh.

“Komuna ka filluar ta largojë mesin e rrugës, duhet edhe për festime të fundvitit, por në anën tjetër, përgatitet tutje edhe për sheshin e madh i cili do të jetë deri te katedralja në një të ardhme të afërt. Kjo është edhe një test i mirë sesi do të funksionojnë komunikacioni gjatë kësaj periudhe festive”, ka theksuar Zogaj.

Ai thotë se ashtu siç është planifikuar, rruga do të hapet për vetura me 8 janar, por që do të hapen procedurat e prokurimit për të vazhduar projektin madhor të sheshit.

“Për t’u finalizuar ky projekt duhet të fillojnë procedurat e prokurimit, sepse ai projekt ka kosto dhe duhet të planifikohet. Kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm, në mënyrë që finalizimi i projektit si tërësi do të zgjasë gjatë verës deri në vjeshtën e vitit 2023”, ka shtuar ai.

Ndryshe, që nga 26 nëntori deri me 8 janar 2023, Bulevardi “Xhorxh Bush” do të jetë e mbyllur për qarkullim veturash, meqë komuna e ka shndërruar në ambient festiv për fundvit.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë, ambulanca në vendin e ngjarjes