Shteti e mbyll Shtëpinë e Pleqve “Orenda”, vendin ku u rrah e moshuara
Shtëpia e të moshuarve në Pejë “Orenda”, mbyllet nga shteti.
Vendimin për revokimin e licencës e mori Ministria e Financave, para pak minutash.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”.
“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.
“Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”, thuhet në njoftim.