Gjykata merr një vendim për tri ish-infermierët në shtëpinë e pleqëve në Pejë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurave A.P, A.R dhe R.K për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘sulmi‘.

Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.

Sipas komunikatës së Gjykatës në Pejë, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to.

“Andaj, duke u bazuar në rrethanat e rastit konkret, gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar”.

Lexo edhe:  Krenari: Kosova fiton dy medalje në xhudo, një e artë një e argjendtë  

Gjykata vlerësoi edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit