“Veç mos t’pafsha se kom me t’mytë”/ Kërcënohet aktorja që publikoi pamjet e dhunës ndaj të moshuarës në Pejë
Publikimi i një videoje që shpërfaq dhunën ndaj një gruaje të moshuar në qendrën e për kujdesin e të moshuarve ‘Orenda’ në Pejë, ka nxitur reagime të mëdha.
Aktorja që publikoi pamjet, Kaltrina Zeneli, është përballur me kërcënime serioze nga disa persona të cilët thotë se ende nuk i ka denoncuar në Polici.
“Kom marrë kërcënime prej personave qe nuk jetojnë në Kosovë, në gjuhë të ndryshme. Por edhe indirekt më kanë kërcënu. Nuk e kom denoncu ende. I vetmi problem është te një vajzë që e ka emrin Kaltrinë Zeneli dhe njerzit po mendojnë që unë jam ajo dhe po e kërcënojnë atë”, tha ajo për Sinjalin.
Zeneli tha se një ndër mesazhet kërcënuese ka qenë edhe ‘Veç mos t’pafsha në rrugë se kom me të mytë’, por sipas saj, ajo nuk e ka mendjen te kërcënimet. Ajo është shprehur e shqetësuar për personin që ia ka dërguar videon e për të cilin thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur me të.
Pas publikimit të pamjeve tronditëse dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi që dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi incizoi pamjet, kanë përfunduar në pranga të Policisë dhe janë suspenduar, bashkë me një punëtore tjetër.