GJASHTË VJET PAS: Dita kur nisi të gjykohet liria e Kosovës

Nga arrestimi te dënimi në shkallë të parë. 6 vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së dhe transferimi i tyre në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ka data që nuk kalojnë kurrë, vetëm ndryshojnë përmbajtje. Më 4 e 5 nëntor të vitit 2020, katër burra që e kishin udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u dërguan në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u akuzuan për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Para se të fillonte gjyqi, kaluan gati tre vjet vetëm në pritje. Gjyqi nisi në prill të 2023-së, zgjati 235 ditë seancash dhe dëgjoi 274 dëshmitarë. Vëmendja e qytetarëve të Kosovës ishte e madhe, kjo për faktin se personat që po gjykoheshin ishin njerëzit që e kishin udhëhequr luftën çlirimtare.

Nuk do të kalonte shumë kohë pas arrestimit të krerëve, që të kuptohej se gjërat në Speciale nuk po shkonin ashtu siç kishin proklamuar vetë iniciuesit e themelimit të saj. Ka pasur vazhdimisht raportime për anshmëri institucionale dhe përdorim selektiv të drejtësisë, për pranim të provave të Serbisë si dëshmi, u fshehën provat shfajësuese etj. Përveç nga brenda, edhe nga jashtë u vërejt se diçka nuk shkonte. Në maj të këtij viti, Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, me kërkesë të Avokatit të Popullit, publikoi një shqyrtim të pavarur të Dhomave të Specializuara. Gjetjet ishin serioze. Ngritën shqetësime serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut, mungesën e transparencës, pabarazinë mes palëve, gjyqtarët me qasje të anshme, takimet e fshehta me diplomatë që shpërfaqnin varësi, si dhe përdorimin e provave të paverifikuara gjatë procesit.

Lexo edhe:  Vetaksident në rrugën Gjilan-Kamenicë, lëndohet një person

Pastaj erdhi 16 shtatori. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë, me flamuj e me ekrane gjigantë, duke pritur lirimin. Në Hagë, gjyqtari Charles Smith i lexoi dënimet me një formulë që shqiptarët e përjetuan si plagë të re: “në emër të popullit të Kosovës”. Thaçi dhe Krasniqi 25 vjet. Veseli 18. Selimi 13. Në total, 81 vjet burg për burra që e kishin udhëhequr luftën çlirimtare. Në sheshin e Prishtinës, ajo frazë u bë përgjigje: “Jo në emrin tim”.

Nëse analizohet procesi dhe qasja që patën Prokuroria/gjyqtarët – që funksionuan si një trup i vetëm – për shumë kë vendimi dënues nuk është befasi. Madje, argumentojnë se ishte paralajmëruar. Këtë e mbështesin edhe në takimin e ish-kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith, dhe kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, në dhjetor të 2020-së, pak ditë pas arrestimit të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Aty, Smith kishte thënë se krerët e UÇK-së do të dënoheshin me burgim të përjetshëm. Askush nga të pranishmit nuk e kishte kundërshtuar.

Gjykata tha se nuk e dënoi UÇK-në. Por, dënimi i tyre si ndërmarrje e përbashkët kriminale, u perceptua pikërisht si dënim i luftës çlirimtare.

Ajo që pasoi në rrugët e Prishtinës ishte më shumë se politikë. Ngjante si zi. Mijëra njerëz dolën për net me radhë, disa ditë dy herë në ditë, pasi që ishin të bindur se po gjykohej lufta e tyre.

Gjykimi, juridikisht, ende nuk ka përfunduar. Shqiptarët mbajnë shpresat te Apeli.