Spahiu sqaron arsyet se pse e propozoi veten për president të Kosovës

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka shpjeguar arsyet pse e ka propozuar veten për president të Republikës së Kosovës.

Duke folur në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”, Spahiu ka thënë se emri i tij është propozuar edhe më herët nga personalitete publike.

“Nuk është hera e parë që propozohet emri im për president. Janë dhjetëra personalitete publike që kanë elaboruar me shkrime të gjata dhe fakte se pse duhet të isha president i Kosovës. Nuk është asgjë jo serioze që dikush ta propozojë veten”, ka thënë Spahiu.

Ai ka theksuar se është i drejtpërdrejtë në shprehjen e qëndrimeve të tij dhe nuk heziton t’i bëjë publike mendimet.

“Të gjitha ata që më njohin janë të vetëdijshëm se mendimet i shpreh hapur. Nuk ia kam frikën askujt. Unë kam thënë se nga njerëzit seriozë është vetëm një njeri që mund t’i futet një sfide të tillë dhe ai është Nexhmedin Spahiu”, ka theksuar Spahiu.

 

Sipas tij, vendimi për presidentin e ardhshëm të Kosovës do të varet kryesisht nga dy liderë politikë, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.

“Dy vetë vendosin se kush duhet të jetë president, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku. Ata duan dikë që ta nëpërkëmbin dhe ta kenë nën thundrën e vet. Në fakt duhet të ishte e kundërta”, ka vlerësuar Spahiu.

Lexo edhe:  Punëtori e vuri re foshnjën pa shenja jete, detaje nga rasti tronditës në Matiqan