Nuk janë marinsat amerikanë – janë snajperistët e FSK-së në trajnim profesional
Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar me sukses “Kursin Bazë për Snajper” dhe “Kursin e Liderit Luftarak”, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve taktike dhe operacionale të pjesëtarëve të saj.
Sipas njoftimit zyrtar, Kursi Bazë për Snajper është zhvilluar nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes përmes Qendrës së Stërvitjes Profesionale, me fokus në aftësimin e ushtarëve për qitje precize nga distanca të largëta dhe përdorimin e kalibrave të ndryshëm.
Pamjet nga trajnimet kanë tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ku pjesëtarët e FSK-së shfaqen të pajisur dhe të trajnuar në nivel profesional, duke lënë përshtypjen e njësive elitare ushtarake.
Ndërkohë, Kursi i Liderit Luftarak është realizuar nga Shkolla e Nënoficerëve, ku kursantët kanë kaluar trajnime intensive në udhëheqje ushtarake, planifikim operacional, komunikim, vendimmarrje dhe zbatim të procedurave taktike në terren.
Nga FSK-ja u theksua se pjesëmarrësit gjatë të dy kurseve kanë demonstruar disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.

