“Bëhet llugë”, tani Qeveria thotë se nuk lejohen xhamat e zi – “vetëm nga fabrika”
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar publikisht lidhur me përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke theksuar se kjo çështje është e rregulluar qartë me legjislacionin në fuqi.
Sipas MPB-së, përdorimi i xhamave të errët lejohet vetëm në rastet kur automjeti është prodhuar nga fabrika me xhama të tillë. Ndërsa vendosja e letrës ngjitëse për errësimin e xhamave është e ndaluar.
Në reagimin e ministrisë thuhet se kjo çështje rregullohet me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, konkretisht me nenin 7.
“Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkesës së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës”, thuhet në njoftim.
MPB bën të ditur se më 24 shkurt 2026, Departamenti Ligjor i ministrisë ka dhënë edhe një opinion ligjor, përmes të cilit është sqaruar se përdorimi i xhamave të errët rregullohet ekskluzivisht nga dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2024 dhe se këto dispozita janë detyruese për zbatim.
Ministria thekson se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto rregulla nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.
Sipas MPB-së, këto masa janë vendosur për të rritur sigurinë në trafik, për të lehtësuar kontrollin nga organet e rendit dhe për të parandaluar aktivitetet e paligjshme.
Në fund, ministria u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

