Kapet në Jarinje një grua serbe, dyshohet se kishte dokumente false

Një rast i falsifikimit të dokumenteve është evidentuar mbrëmjen e së premtes në pikën kufitare në Jarinje, ku autoritetet kanë ndaluar një grua të dyshuar shtetase të Serbisë.

Sipas raportit zyrtar policor, ngjarja ka ndodhur më 20 mars 2026, rreth orës 20:33, kur e dyshuara gjatë kontrollit kufitar ka prezantuar një letërnjoftim dhe një patentë shoferi që dyshohet se janë të falsifikuara.

Pas verifikimeve fillestare nga zyrtarët kompetentë, dokumentet janë konsideruar të dyshimta dhe me urdhër të prokurorit të rastit janë konfiskuar për ekzaminim të mëtejshëm.

Ndërkohë, gruaja e dyshuar është ndaluar për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa rasti është iniciuar si “falsifikim i dokumenteve” dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt nga organet e drejtësisë.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje shtesë lidhur me identitetin e të dyshuarës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.

Lexo edhe:  Shembull i mirë: Imami i xhamisë në Bare, Fuad Ferati, pas namazit të Bajramit shërbeu xhematin me hurme e llokuma dhe pije