27 vite nga masakra e Reçakut, ngjarja që tronditi botën dhe i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s

Me 15 janar të vitit 1999, pak banorë që nuk ishin larguar nga fshati Reçak i Komunë së Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave dhe filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe me forcë i morën të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me arsyetimin se duhej bërë obduksioni për shkak se autoritetet serbe mohonin të kenë vrarë e masakruar civilë.

Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime.

Presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje “ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.

Lexo edhe:  Disa minatorë të Trepçës dërgojnë ujë dhe ushqime për kolegët e tyre brenda në minierë